75 Mall Live Search
08:47 / E Martë, 21 Prill 2020 / indeksADMonline

Trumpi jep urdhër për pezullimin e përkohshëm të imigrimit në ShBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në orët e vona të së hënës ka njoftuar se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për pezullimin e përkohshëm të imigrimit në ShBA.

Ai shtoi se kjo masë është marrë për shkak të, siç tha ai, sulmit nga armiku i padukshëm, duke aluduar në koronavirusin, dhe për t’i mbrojtur vendet e punës në Shtetet e Bashkuara.

Është e paqartë se çfarë mekanizmi do të përdorë presidenti amerikan për ta pezulluar imigrimin dhe gjithashtu nuk dihet për sa kohë mund të mbetet në fuqi ky vendim.

Pritet që Shtëpia e Bardhë më vonë të dalë me të dhëna në lidhje me atë se çfarë efekti do të ketë ky urdhër në pikëkalimet kufitare dhe se a do të preken personat që kanë karta të gjelbra.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë për numrin e të vdekurve dhe të të infektuarve me koronavirus.