19:02 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / k.v

Trupi i argjentinases së vrarë në Fushë Kosovë ende në morg, flasin nga IML-ja

Rreth një muaj e gjysmë më parë, një shtetase argjentinase është vrarë në Fushë Kosovë.

Maria Clara Urdangaray dyshohet se ka rënë nga lartësia e një objekti ndërsa i dyshuar për këtë krim është i dashuri i saj, Endrit Nikaj nga Drenasi.

Ky i fundit ndodhet në qendrën e paraburgimit ndërsa trupi i pajetë i shtetases argjentinase 27-vjeçe, vazhdon të mbetet në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML).

Me datë 1 shtator, avokatja e familjes Urdangaray, Lisa Roselli, ka bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për mbështetje financiare, përkatësisht për mbulimin e shpenzimeve financiare për transportimin e kufomës së shtetases së ndjerë Maria Clara Urdangaray, nga Prishtina për në Argjentinë.

Ministria e Drejtësisë duke marrë për bazë aspektin human dhe të ndjeshëm të kësaj çështje, ka proceduar kërkesë në Qeveri për mbulimin e shpenzimeve financiare nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, andaj u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

Në mbledhjen e së mërkurës, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti u ndanë mjetet financiare në vlerë prej 4,200 Euro për mbulimin e shpenzimeve për transportimin e kufomës nga Prishtina për në Argjentinë.

Sipas vendimit, obligohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi i cili ka hyrë në fuqi po ditën e djeshme.

IndeksOnline ka kontaktuar me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Institutin e Mjekësisë Ligjore, Dr. Ditor Haliti duke e pyetur nëse kanë nisur procedurat për transportimin e kufomës.

Ai shkurtimisht ka thënë se ende nuk e kanë njoftuar asgjë ndërsa trupi i pajetë i argjentinases vazhdon të mbetet në morg.

Rikujtojmë se familja e viktimës Urdangaray kishte kërkuar publikisht para në rrjetet sociale për të mbledhur paratë për transportimin e kufomës, mirëpo në pamundësi për të siguruar shumën e plotë, kishte kërkuar ndihmë edhe nga Qeveria e Kosovës përmes avokates së tyre./IndeksOnline/