75 Mall Live Search
09:49 / E Mërkurë, 02 Prill 2025 / k.v

Trupi i pajetë i rreshterit Lika dërgohet në IML për obduksion

Policia e Kosovës ka konfirmuar se trupi i pajetë i rreshterit Muhamed Lika, i cili u vra mbrëmë në hyrje të banesës së tij në Kaçanik, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. 

Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e 1 prillit 2025, rreth orës 23:00, kur Policia u njoftua për një person të plagosur. Pasi njësitë policore arritën në vendngjarje, ekipi mjekësor konstatoi se viktima, një zyrtar policor kosovar, ishte pa shenja jete. 

Autoritetet kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa prokurori i rastit ka urdhëruar dërgimin e trupit në IML për të kryer ekzaminimet e nevojshme. 

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit po vazhdojnë nga njësitë relevante policore./IndeksOnline/