13:40 / E Martë, 16 Janar 2024 / mp

Trusti e mbyll vitin me bilanc pozitiv për 87.7 milionë euro

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2023 me plus 87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

Kanë bërë të ditur përmes një komunikate zyra për informim e FKPK-së.

” Ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale. Kjo shpiu në plus 750 milionë euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit.


Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%).

Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe ta kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove”, thuhet në njoftim.

Më poshtë janë detajet me parashikime për këtë vit:

PORTOFOLI STANDARD

Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2023 ishte +3.05% (2022: ‑5.54%; 2021: +10.65%). Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur për 67.6% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për 70.2%.

Bordi Drejtues, i emëruar në detyrë prej 13 korrikut 2023, e ka ruajtur përgjithësisht qasjen e ndërmarrjes së riskut të ulët në investimet e Portofolit Standard nga Bordi paraprak. Kjo meqë gjendja e përgjithshme ekonomiko-financiare dhe gjeopolitike ishte dukshëm e ngarkuar nga ngjarje me potencial të lartë të ndikimit negativ në performancën investuese. Kjo qasje pritet të rishikohet gjatë vitit 2024.


PORTOFOLI KONSERVATIV

Në Portofolin Konservativ kishim ngritje prej +3.47% të çmimit të njësisë për vitin 2023 (2022: +2.94%). Për shkak se investimet e këtij portofoli janë vetëm në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës ato nuk ndikohen nga ndryshimet në tregjet financiare, rrjedhimisht kanë stabilitet më të lartë. Kthimi bruto i këtij Portofoli nga fillimi (shkurt 2022) ka arritur në 5.1 milionë euro. Qëllimi i këtij portofoli është që të ruajë vlerën e kursimeve pensionale nga lëvizjet në tregjet financiare të kontribuuesve që janë shumë afër pensionimit dhe nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme të rikuperimit nga luhatjet e forta negative në tregjet financiare globale.


PRITSHMËRITË PËR 2024

Ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4%. Ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike. Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij.


Tabela 3: Përmbledhje e treguesve kryesorë për 2022 dhe 2023

TREGUESI20232022
Kthimi bruto për vitin (dyja portofolet)+€88 milionë-€122 milionë
Kthimi bruto prej themelimit+€750 milionë+€662 milionë
Mjetet neto nën menaxhim €2,700 milionë€2,400 milionë
   
Çmimi i njësisë – Portofoli Standard €1.6764€1.6268*
Çmimi i njësisë – Portofoli Konservativ €2.1302€2.0588*
   
Kontribute të arkëtuara për vitin €286 milionë€241 milionë 
Pagesa të pensioneve për vitin€66 milionë€55 milionë  
Të pensionuar gjatë vitit7,7037,131
   
Llogari të pjesëmarrësve 834,251 792,995 
Llogari aktive për vitin 442,383428,891
   
Mjete në tregjet globale€2,013,518,137€1,689,250,011
Mjete në fletobligacionet e Kosovës€447,135,504€553,752,102
Mjete në bankat në Kosovë€92,533,913€137,916,925
Paraja e gatshme€149,901,531€31,133,146
   
Tarifa për investime0.32%0.32%
Tarifa për operacione0.05%0.057%

*Portofoli Standard ka filluar më 1 gusht 2002 me çmimin fillestar 1.00 për njësi.

 Portofoli Konservativ ka filluar më 16 shkurt 2022 me çmimin fillestar 2.00 për njësi.