75 Mall Live Search
17:37 / E Diele, 15 Qershor 2025 / AR

Tualeti prej ari 6 milionë dollarësh u vodh në 5 minuta, dy burra dënohen me burg

Dy burra janë dënuar me burg pasi vodhën një tualet funksional prej ari 18-karatësh, një vepër arti me titull “America”, nga Blenheim Palace në Angli, rezidenca ku ka lindur Winston Churchill.

Tualeti ekstravagant, i krijuar nga artisti italian Maurizio Cattelan dhe me një vlerë prej rreth 6 milionë dollarësh, besohet se është copëtuar për të shitur arin.

James Sheen, 44 vjeç, i cilësuar si “truri” i grabitjes, pranoi fajësinë dhe u dënua me 4 vite burg. Ndërsa Michael Jones, 39 vjeç, i cili ndihmoi në planifikim duke inspektuar vendin më herët, u dënua me mbi 2 vite burg.

Grabitja ndodhi në orët e para të mëngjesit të vitit 2019 dhe zgjati vetëm 5 minuta.

Autorët përplasën një mjet kundër portës së pallatit, përdorën çekiçë për të hyrë brenda dhe shkëputën tualetin nga dyshemeja, duke shkaktuar përmbytje në ndërtesën historike.

Pavarësisht ekzekutimit “filmik”, autoritetet deklaruan se grupi la pas një sasi të madhe provash. Rasti tërhoqi vëmendjen e mediave në mbarë botën, për shkak të natyrës së pazakontë të objektit, vendndodhjes luksoze dhe guximit të veçantë të grabitësve.