Tubim madhështor i forumit të Gruas së LDK-së në Shtime, mbështetje e fortë për Kastriot Shabanin

Një atmosferë entuziaste dhe përplot energji u krijua në tubimin e organizuar nga Forumi i Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Shtime, ku mori pjesë edhe kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës, Kastriot Shabani.
Në këtë aktivitet, Shabani u shoqërua nga kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Rrezartë Ramadani, me të cilën zhvilloi një bashkëbisedim të frytshëm me gratë pjesëmarrëse të cilat përfaqësojnë një shtyllë të rëndësishme të strukturës së LDK-së në këtë komunë.
“Ky forum përfaqëson zërin, energjinë dhe vizionin e grave të angazhuara që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh për LDK-në dhe për komunën tonë,” theksoi Shabani në fjalën e tij.
Ai vlerësoi përkushtimin e grave si një garanci për një të ardhme më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse për qytetarët e Shtimes. Sipas tij, me bashkëpunim dhe përfshirje të secilit qytetar, vizioni për një komunë më të zhvilluar dhe të drejtë do të kthehet në realitet.
“Bashkë me to dhe me secilin qytetar, do të punojmë që vizioni ynë për të ardhmen të bëhet realitet,” u shpreh ai./IndeksOnline/