“Tuk tuk”, mjetet simbol të protestave në Bagdad
Motorët taksi që njihen edhe si “tuk tuk” kryejnë funksionin si ambulanca në protestat që vazhdojnë në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, raporton AA.
Në mjediset me tym të bardhë si pasojë e gazit lotsjellës që përdoret intensivisht në zonat e protestave, motorët “tuk tuk” pa marrë parasysh këtë situatë lëvizin me shpejtësi duke transportuar të vdekurit ose të plagosurit nëpër spitale.
Në zonën ku zhvillohen protestat në Bagdad ka një numër të pakët të ambulancave të Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj këto mjete që kryejnë funksionin e ambulancave kanë hyrë në mënyrë të papritur në jetën e irakianëve dhe janë bërë “simbol” i protestave.
Në sheshin Tahrir dhe zonat përreth mund të shikohen dhjetëra “tuk tuk” në ngjyra të ndryshme që lëvizin me shpejtësi brenda turmës që nga orët e mëngjesit e deri në orët e mesnatës.

Disa prej këtyre mjeteve pozicionohen pranë protestuesve në radhët e parë duke kryer funksion mbrojtës ndaj sulmeve të forcave të sigurisë, ndërsa disa të tjerë kanë mbishkrimin “ambulancë”. Po ashtu këto mjete përdoren edhe për distanca të caktuara edhe nga personat që dëshirojnë të shkojnë në shtëpitë e tyre pasi largohen nga sheshi i protestave.
- “Tuk tuk”, simboli i protestave
“Tuk tuk” të cilat janë bërë simbol i protestave irakiane, gjithashtu kanë fituar edhe një simpati të madhe nga popullata. Në zonat e protestave ka edhe vizatime murale dhe afishe e pankarta me përmbajtje lëvdatash për këto mjete.
Në median sociale publikohen edhe karikatura dhe shkrime lidhur me motorët taksi, ku një studente irakiane gjatë protestave vërehet se për humor ka mbajtur në dorë një pankartë me mbishkrimin “Nuk martohem me askënd, do martohem me shoferin e tuk tukut”.

Madje edhe këngëtari irakian Hussam el Rassam ka kompozuar një këngë për këto mjete që janë bërë simbol.
Edhe Jeanine Hennis Plasschaert, kryetarja e Misionit të Ndihmës të Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI), ka përdorur këtë mjet me tre rrota kur vizitoi sheshin Tahrir. Ky qëndrim i Plasscharert u prit me simpati nga irakianët.

Shumica e shoferëve që përdorin këto mjete me funksionin shpëtues në protesta janë nën moshën 25 vjeç.
Shoferi i “tuk tukut”, Hasa Rida, në sheshin Tahrir për gazetarin e AA-së është shprehur se, “Ndodhemi këtu që nga fillim i protestave. Kemi dërguar në spital shumë të vdekur dhe të plagosur. Po ashtu ne transportojmë edhe ushqimet dhe pijet e dhuruara për protestuesit nëpër çadra në zonën e protestave”.

“Teksa transportojmë protestuesit nuk marrim ndonjë pagesë”, tha Rida, duke u shprehur më tej se, “Disa prej tyre dhurojnë diçka dhe ajo na mjafton. Kemi dëgjuar se protestuesit janë përpjekur të mbledhin para mes tyre për ne, por nuk i kemi pranuar. Marrim nga miqtë vetëm paratë e benzinës”.
“Jemi të lumtur, tashmë na duan të gjithë për shkak se përpara protestave punonim në zonën Medinetu’s Sadr dhe përveç popullatës së kësaj zone askush nuk hipte në tuk tuk, por tashmë ky motor taksi është bërë i preferuari i të gjithëve”, tha Rida.
Ndërsa një tjetër drejtues “tuk tuku”, Hussam Hussein, ka theksuar se në sheshin Tahrir dhe përreth tij punojnë rreth 500 mjete.

Duke u shprehur se janë të shqetësuar që forcat e qeverisë mund të konfiskojnë këto mjete pas protestave, Hussein tha se, “Qeveria ka vendosur një numër të pakët të ambulancave këtu. Ne kryejmë detyrën e ambulancës. Kemi edhe frikë nga konfiskimi pas protestave. Disa nga shokët tanë i kanë kërcënuar nëpërmjet thirrjeve telefonike. Por ne jemi të vendosur që mos kthehemi në shtëpitë tona pa përfunduar protestat”.
Hussein gjithashtu ka informuar se kanë shokë shoferë që kanë humbur jetën ose janë plagosur gjatë protestave në Bagdad dhe se gjatë tensioneve janë dëmtuar edhe disa nga këto mjete. /IndeksOnline/
