15:11 / E Shtunë, 28 Shtator 2019 / indeksADMonline

Turist në Amsterdam, zbuloni surprizën e pakëndshme që u kushton 100 dollarë

Mendoni se e keni llogaritur mirë buxhetin për një palë pushime në Europë?  Epo,  kur të shkoni në fund për të bërë pagesën e hotelit mund të përballeni me një surprizë të pakëndshme, thotë CNN.

Në mbarë kontinentin e vjetër taksat mbi turistët janë të përhapura, por në disa vende, ato mund ta rrisin shumë faturën e qëndrimit të tuaj. Amsterdami, që vuan nga mbipopullimi i turistëve me 18 milionë të tillë çdo vit që “i mbysin” 867.000 banorët e tij ka në fuqi një taksë prej 7 për qind mbi vizitorët e huaj.

Taksa aplikohet për çdo natë qëndrimi në koston neto të dhomës. Që do të thotë se në hotelet me pesë yje udhëtarët mund të paguajnë deri në 100 dollarë shtesë për qëndrimin e tyre.

Në nivelin e 7 për qind taksa u rrit tetorin e vitit 2018; më parë ka qenë 6 për qind në qendër të qytetit dhe 3 për qind në zonat periferike të tij. Për më tepër, nga janari 2020, Amsterdami do t’i shtojë asaj dhe 3 euro për person.

Kryeqyteti holandez nuk është vendi i vetëm i shtrenjtë për turistët. Rotterdami fqinj po ashtu i shton faturës së përnatshme një 6.5 përqindësh, ndërsa në Dortmund taksa është 7.5 për qind.

Në Berlin, Bonn dhe Bremen taksa e turistëve shkon 5 për qind. Të tjera destinacione që përdorin një taksë të tillë janë Vjena, me 3.2 për qind, Budapesti me 4 për qind dhe Bukureshti me 1 për qind.