75 Mall Live Search
14:09 / E Enjte, 18 Mars 2021 / Blerim

Turqia: Bashkësia ndërkombëtare të respektojë vendimin për deputetin e opozitës

Turqia i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të respektojë vendimin e gjykatës pas të cilit Parlamenti turk i hoqi imunitetin një deputeti të opozitës.

Ministria e Jashtme në një deklaratë theksoi se imuniteti i z. Ömer Faruk Gergerlioğlu nga Partia Demokratike e Popujve (HDP) u revokua në përputhje me Kushtetutën dhe urdhëresën parlamentare.

Disa vende e kanë dënuar vendimin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më 19 shkurt, Gjykata e Lartë e Apelit e Turqisë, e quajtur gjithashtu Gjykata e Kasacionit, miratoi vendimin për Gergerlioğlun, i cili u dënua me dy vjet e gjysmë burgim për përhapjen e propagandës për organizatën terroriste PKK.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se prokurori i lartë i vendit dje ngriti padi, duke kërkuar shpërbërjen e partisë HDP, të cilën e quajti parti jodemokratike që bashkëpunon me organizatën terroriste PKK dhe kërkon të shkatërrojë unitetin e shtetit.

Ajo akuzon udhëheqësit dhe anëtarët e HDP-së për veprime në një mënyrë që shkel rregullat demokratike dhe universale të ligjit, duke bashkëpunuar me PKK-në terroriste dhe grupet e lidhura me të dhe që synojnë rrënimin dhe eliminimin e integritetit të pandarë të shtetit me vendin dhe kombin e tij.

Masa ndjek thirrjet në rritje nga udhëheqësit politikë turq për HDP-në që të ndalohet zyrtarisht. Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë drejtues dhe zyrtarë të zgjedhur të HDP-së janë akuzuar për vepra të lidhura me terrorizmin.

Udhëheqësit turq kanë argumentuar prej kohësh se HDP-ja është pak më shumë sesa një grup frontal për PKK-në terroriste.

“Në këtë proces, të gjithë duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të komentosh mbi një proces të vazhdueshëm ligjor është ndërhyrje në ligj”, deklaroi Ministria e Jashtme.

Duke vënë në dukje se partitë politike janë “të domosdoshme” për politikën, deklarata thekson se është “thelbësore” që ato “të kryejnë veprimtaritë e tyre në mënyrë paqësore brenda kornizës së rregullave universale dhe demokratike të ligjit”.

Turqia më tej u bëri thirrje atyre që “përpiqen të ndërhyjnë në punët e brendshme” të vendit që të respektojnë proceset gjyqësore të mara nga gjykata të pavarura.