Turqia: Gjaku i ushtarëve tanë, s’do të lihet pa kundërpërgjigje

Kreu i komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, theksoi se në takimin e sigurisë është vendosur që të jepet kundërpërgjigje e shumëfishtë ndaj regjimit jolegjitim, i cili i ka drejtuar armët ndaj ushtarëve turq, raporton Anadolu Agency (AA).
Altun, lidhur me takimin e sigurisë i cili vazhdon në rezidencën presidenciale nën kryesimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, përmes një deklarate me shkrim është shprehur se “me elementet tanë mbështetës të zjarrit nga ajri dhe toka kemi vendosur në shënjestër të gjitha pikat e regjimit dhe do të vazhdojmë t’i shënjestrojmë”.
Duke njoftuar se takimi i sigurisë është realizuar për shkak të sulmit mizor të kryer ndaj ushtarëve turq, Altun, deklaroi: “Në takim u theksua se regjimi i Assadit është përgjegjës për vdekjen e qindra mijëra sirianëve. Është vendosur që t’i jepet kundërpërgjigje e shumëfishtë regjimit jolegjitim i cili i ka drejtuar armët ushtarëve tanë. Me elementet tanë mbështetës të zjarrit nga ajri dhe toka kemi vendosur në shënjestër të gjitha pikat e regjimit dhe do të vazhdojmë t’i shënjestrojmë”, tha Altun.
“Me këtë rast i bëjmë thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar që të përmbushë përgjegjësitë që kanë dhe kryesisht palëve në procesin Astana që u formua me qëllim ndalimin e krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi. Nuk do të qëndrohet si spektator ndaj asaj që u përjetua në të kaluarën në Ruanda, në Bosnjë e Hercegovinë të përsëritet sot në Idlib”, u shpreh ai, duke shtuar se “gjaku i ushtarëve tanë nuk do të lihet pa kundërpërgjigje, aktivitetet në Siri do të vazhdojnë deri sa të thyen duart që i janë zgjatur flamurit tonë”.