20:56 / E Martë, 28 Qershor 2022 / OSH

Turqia heq bllokadën për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Presidenti finlandez Sauli Niinistö, ka bërë të ditur se Turqia është pajtuar që ta mbështesë Finlandën dhe Suedinë në rrugëtimin e tyre që t’i bashkohen Aleancës Veri-Atlantike.

Ky lajm nga Niinisto vjen në kohën kur këto tri vende kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët memorandumi për “ta zgjeruar mbështetjen kundër kërcënimeve që potencialisht mund të vijën ndaj këtyre tri vendeve”.

Kjo marrëveshje është konfirmuar pas takimit të ministrave të Jashtëm në Samitin e NATO-s që po mbahet në Madrid të Spanjës.

E lajmin për heqjen e bllokadës nga ana e Turqisë, e kanë konfirmuar liderët gjatë një konference të përbashkët.

Turqia vazhdimisht këmbëngulte se këto dy vende nordike po “strehojnë” plot gylenistë e kurdë të PKK-së, të cilët autoritetet turke i konsiderojnë si organizatë terroriste.

Ndërkaq pas deklarimit publik të Finlandës dhe Suedisë se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO, ishte pikërisht Turqia që i kundërshtoi duke thënë se do të bllokojë hyrjen e tyre në NATO.