75 Mall Live Search
23:52 / E Diele, 20 Nëntor 2022 / AR

Turqia kryen sulme ajrore ndaj kurdëve në Irak dhe Siri

Turqia ka kryer sulme ajrore mbi bazat militantëve kurdë në veri të Sirisë dhe Irakut, të cilat sipas saj, ishin përdorur për të kryer sulme ndaj Ankarasë.

Sulmet kishin në shënjestër bazat e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe milicisë kurde siriane. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 89 objektiva, duke përfshirë strehimore dhe depo municionesh, janë shkatërruar nga sulmet ajrore ndaj bazave militante kurde.

Qeveria ka fajësuar militantët kurdë për shpërthimin në rrugën Istiklal të Stambollit më 13 nëntor që vrau gjashtë persona dhe plagosi më shumë se 80 persona të tjerë dhe këto sulme shihen si hakmarrje nga Ankaraja. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e ndodhur në rrugën mjaft të populluar dhe kanë mohuar se kanë lidhje me ngjarjen e rëndë.

Ishte presidenti Erdogan që dha urdhrin ndërsa kthehej nga Indonezia. Presidenti turk ulet i vetëm në krye të tryezës dhe dëgjon me vëmendje ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar, i cili i shpjegon planin, në prani të zyrtarëve ushtarakë. Në të njëjtën kohë, ai i tregon detaje të operacionit në hartë, pamja e së cilës është mjegulluar qëllimisht për arsye sigurie.