10:21 / E Shtunë, 29 Shkurt 2020

Turqia nuk do t’i ndalojë refugjatët ‘që duan të shkojnë në Evropë’

Turqia nuk është “më në gjendje të mbajë refugjatë” pas një sulmi sirian që vrau 33 ushtarë në Idlib, tha të premten Omer Celik, një zëdhënës i partisë në pushtet AKP të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Njoftimi vjen ndërsa rreth 300 migrantë ecnin të premten nëpër veriperëndimin e Turqisë drejt kufijve të saj me Greqinë dhe Bullgarinë, sipas agjencisë së lajmeve DHA. “Si rezultat i sulmit, (refugjatët) në Turqi po shkojnë drejt Evropës, kurse ata në territorin sirian po shkojnë drejt Turqisë,” i tha Celik CNN Türk menjëherë pas mesnatës të premten. “Politika jonë e refugjatëve është e njëjtë si më parë, por tani jemi në një situatë ku nuk mund t’i mbajmë më ata”.

Raportet e OKB dhe BE për fluksin e ri të migrantëve

Një zëdhënës i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara tha të premten se nuk kishte informacione për njerëz në Turqi që ecin drejt Greqisë ose pjesëve të tjera të Evropës. BE gjithashtu ka shprehur dyshim për fluksin e refugjatëve, të raportuar nga disa media.

“Unë do të doja të theksoja se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga pala turke për ndonjë ndryshim në politikën e azilkërkimit, për refugjatët ose për politikën ndaj migrantëve”, tha një zëdhënës i ekzekutivit të BE-së në një konferencë shtypi.

“Ne nuk kemi marrë asnjë informacion për këtë. Ne nuk kemi raporte për një lëvizje të dukshme drejt kufijve,” tha zëdhënësi i UNHCR Babar Baloch në një konferencë shtypi në Gjenevë. Agjensia e lajmeve Demiroren tha se grupi i migrantëve, përfshirë gra dhe fëmijë, e nisën në udhëtimin e tyre nga provinca Edirne e Turqisë drejt kufijve me Bullgarinë dhe Greqinë – dy shtete të Bashkimit Evropian – rreth mesnatës. Në këtë grup ishin sirianë, iranianë, irakianë, pakistanezë dhe marokenë. Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis e ka diskutuar situatën në Turqi dhe lëvizjen e migrantëve drejt kufijve grekë në një telefonatë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Greqia rrit patrullimin kufitar

Në pritje të migrantëve, Greqia ka rritur patrullimet kufitare “në nivelin maksimal të mundshëm”, sipas Agjencisë France Presse (AFP). Greqia rriti praninë e saj ushtarake përgjatë kufirit turk në fillim të këtij muaji. Qeveria po përpiqet të instalojë një barrierë lundruese në Detin Egje, për të ndaluar ardhjen e migrantëve.

Bullgaria është gjithashtu e gatshme të dërgojë 1000 ushtarë në kufirin turk, për të parandaluar fluksin e paligjshëm të migrantëve, tha ministri i Mbrojtjes. Ky shtet anëtar i BE ka një kufi tokësor prej 300 km me Turqinë.