10:06 / E Enjte, 22 Prill 2021 / Blerim

Turqia ofron ndihmë për lokalizimin e nëndetëses së zhdukur indoneziane

Turqia ka ofruar ndihmë në përpjekjet e kërkimit për nëndetësen indoneziane, e cila humbi kontaktet në ujërat pranë ishullit Balit të mërkurën, thanë zyrtarët.

Gjeneral majori Achmad Riad, kreu i Qendrës Kombëtare të Informacionit të Forcave të Armatosura Indoneziane, sot deklaroi se Turqia dhe disa vende të tjera, përfshirë SHBA-në, Francën, Rusinë, Indinë dhe Australinë, ofruan mbështetje për të gjetur nëndetësen e zhdukur KRI Nanggala-402, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Aktualisht, është konfirmuar se MV Swift Rescue e Singaporit dhe MV Mega Bakti e Malajzisë do të ofrojnë ndihmë. Ata do të arrijnë më 24, përkatësisht më 25 prill”, u tha Riad gazetarëve në bazën ajrore të Balit, Ngurah Rai.

Mareshali Hadi Tjahjanto, komandanti i Forcave të Armatosura Kombëtare Indoneziane tha se do të mbajë kontakte të ngushta me ministrin e Jashtëm për këto oferta për ndihmë.

Nëndetësja ushtarake indoneziane me 53 anëtarë në bord humbi kontaktin të mërkurën gjatë një stërvitjeje në ujërat e ishullit Bali.

Marina vlerësoi se nëndetësja ishte në një thellësi prej 700 metrash kur humbi kontaktin.

Më parë, Tjahjanto tha se ushtria kishte vendosur të gjitha anijet me sisteme nënujore zbulimi për të bërë kërkime në një zonë prej rreth 95 kilometra nga Bali.

Kërkimet të cilat përdorin hidrolokatorë aktivë ende nuk kanë gjetur nëndetësen.

KRI Nanggala-402 u ndërtua në Howaldtswerke Deutsche Werft në Gjermani në vitin 1977 ndërsa në shërbim të Marinës Indoneziane hyri në vitin 1981. Kjo është një nëndetëse e tipit 209/1300 që përdoret gjerësisht nga marinat botërore.