Turqia paralajmëron: Qeveria siriane mund të përdorë forcë kundër kurdëve
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, paralajmëroi të enjten se qeveria siriane mund të përdorë forcë ushtarake kundër grupeve kurde, pas përshkallëzimit të dhunës në Sirinë veriore.
Sipas autoriteteve, më shumë se 150 mijë civilë janë zhvendosur nga dy zona të kontrolluara nga kurdët në qytetin e Alepos gjatë pesë ditëve të luftimeve mes ushtrisë siriane dhe luftëtarëve kurdë.
Ministria e Shëndetësisë e Sirisë konfirmoi se të paktën 23 persona kanë humbur jetën.
Turqia, e cila është mbështetësja kryesore e qeverisë siriane të dalë nga ish-rebelët që rrëzuan Bashar al-Assadin në vitin 2024, ka rritur presionin ndaj forcave kurde. Ankaraja i konsideron Forcat Demokratike Siriane (SDF) si organizata terroriste dhe kërkon integrimin e tyre në strukturat e qeverisë qendrore siriane.
Një marrëveshje për këtë integrim, e arritur rreth një vit më parë, ende nuk është zbatuar, duke rritur tensionet në rajon.
“Kur dialogu nuk jep rezultat, përdorimi i forcës mbetet një opsion,” deklaroi Fidan, duke shtuar se shpreson që situata të mos përshkallëzohet më tej.

