Turqia prezanton robotin inteligjent për zbulimin e minave

Kompanitë turke të mbrojtjes “Mesan Electronics” dhe “Esetron” kanë zhvilluar së bashku një robot pa pilot të projektuar për të zbuluar mina dhe pajisje shpërthyese të improvizuara (IED), të cilin e prezantuan në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025) në Stamboll.
Duke vepruar në mënyrë autonome ose nga distanca, roboti kombinon teknologjitë e përparuara të sensorëve të kompanisë “Mesan Electronics” dhe platformën kompakte dhe të qëndrueshme të robotit të kompanisë “Esetron” për të zbuluar mina antipersonel dhe antitankt, IED, kabllo, tela shkrehës dhe linja shkrehëse.
Koka e skanimit mund të ndërrohet sipas nevojave operacionale, duke u lejuar forcave të sigurisë të kryejnë operacione efektive zbulimi në zona të rrezikshme dhe me më pak mundësi për të shkaktuar viktima, raportojnë mediat turke.
Sistemi u zhvillua për t’u përdorur në operacione përtej kufirit, në përpjekjet kundër terrorizmit, në pastrimin e minave dhe në sigurimin e perimetrit të posteve ushtarake.
Roboti i lehtë ka një dizajn modular dhe mund të transportohet nga një person i vetëm dhe të përshtatet shpejt për t’u përdorur në lloje të ndryshme misionesh. Vendet afrikane, të Lindjes së Mesme dhe të Ballkanit kanë treguar kërkesë të fortë për produktin, duke zbuluar potencialin e tij të eksportit. Dërgesat e para të sistemit robotik janë planifikuar të bëhen për njësitë turke të sigurisë këtë vit.