75 Mall Live Search
14:46 / E Shtunë, 22 Gusht 2020 / indeksADMonline

Turqit nisin ndërtimin e lagjes në Laç, Rama: Për dreqim hasëm Covidin që na hëngri kohë

Kompania turke ka nisur punën në Laç për ndërtimin e 524 apartamenteve,për familjet që mbetën në qiell të hapur pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gjatë inspektimit të kantierit të ndërtimit ishte i pranishëm ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj si dhe kryebashkiakja e Laçit.

Përfaqësuesi i kompanisë turke deklaroi se banesat do të jenë gati gushtin tjetër teksa bëri një prezantim të projektit.

“Kjo është vendosja e projektit dhe sheshi ku do të zhvillohet. Ne do të ndërtojmë në këtë lot 10 ndërtesa dhe një qendër tregtare. Këtu është komisariati i policisë. Në këtë lot do të ndërtohen ndërtesat e tjera. Këtu është projekti. Parkimi do të jetë nëntokë. Kemi hapësirë parkimi.

Në projekt është edhe shkolla, ndërsa këtu është qendra tregtare. Këtu është njësia e shërbimit. Duhet ta përfundojmë këtë punë brenda një viti. Besojmë gushtin tjetër do të fillojnë të banojnë këtu. Do ta shikoni brenda tre muajve, ju jap fjalën time”, tha përfaqësuesi i firmës turke.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar me anë të shënimit në rrjetet sociale, se kjo punë ishte nisur për t’u finalizuar më herët, por u shty nga pandemia e koronavirusit.

“Ja ku filloi edhe ndërtimi në terren i lagjes së parë për familjet që humbën strehën në tragjedinë e 26 nëntorit!

Them ndërtimi në terren, sepse shumëkush në këtë faqe nuk do që ta kuptojë, se ndërtimi ka nisur prej kohësh me projektimin, i cili merr kohën e vet nga planifikimi, dizajni arkitektonik, projekt-zbatimi, studimi gjeologjik – plus në këtë rast procesi i shpronësimeve dhe miratimi i marrëveshjes me kompaninë e donatorit, ndërkohë për ndërtimet me fondet e buxhetit të shtetit, do kohën e vet edhe procedura e garës deri tek kontrata me sipërmarrjen fituese.

Disa e harrojnë ose duan ta harrojnë, se në rrugën e Rindërtimit hasëm për dreq edhe Covidin, që na hëngri jo pak kohë të çmuar dhe na i shtyu me detyrim kalendarët e realizimit të Programit të Rindërtimit.

Sidoqoftë, sot në Laç nisën gërmimet dhe tanimë puna nuk do të ndalojë deri në dorëzimin e apartamenteve e të njësive tregtare nga miqtë turq, për zonën 1, ndërkohë që për zonën 2, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit, po finalizohet procesi përpara hapjes së kantierit.

Së shpejti hapen kantieret edhe në Durrës, me lagjen e re në Spitallë dhe pallatet e reja në pikat e ndryshme të qytetit, ku u shembën të vjetrit.

Në kantieret e Durrësit, që financohen nga Emiratet e Bashkuara, do të punojë një kompani prestigjoze nga Dubai, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtësisht prej muajsh për projektet.

Kavaja e Fushë – Kruja kanë nisur në terren me infrastrukturën ku do të ngrihen pallatet e reja, e së shpejti nisin të gjitha. Edhe pak durim dhe çdokush që pret apartamentin e ri, do të mund ta ndjekë me sy pallatin e vet të ri teksa hedh shtat”, shkruan Rama.