14:35 / E Martë, 13 Prill 2021 / Blerim

Tusha shënoi në ndeshjen e parë si titullar/ Sulmuesi i ardhshëm i Kosovës: I lumtur për golin, keq që s’fituam!

Veton Tusha ka shënuar golin e tij të dytë në Superligën e Turqisë. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës në grupmoshat U21 ka shënuar gol në humbjen e Denizlispor 3-2 ndaj Alanyaspor, shkruan IndeksOnline

Për IndeksOnline, Tusha shprehet tejet i lumtur për golin e tij në ndeshjen e parë si titullar.

“Kënaqësi për mua që të shënoj në lojën time të parë si titullar. Shpresoj shumë që kam me vazhduar me këtë formë të mirë”, ka thënë Tusha

Tusha shënoi në minutën e 51’të për rezultatin 0 me 2, por skuadra e tij më pas u mposht me rezultat 3-2.

“Ndeshja ka qenë shumë e vështirë, kemi luftuar deri në fund. Nuk e kemi merituar humbjen, por fati nuk ishte në anën tonë”, shprehet për IndeksOnline futbollisti kosovar.

Meqenëse jemi në muajin e Ramazanit, në pyetjen e IndeksOnline, se a do të agjëroj, ai përgjigjet: “Gjatë ndeshjeve nuk jam i sigurt ende, kurse në ditët e ushtrimeve me kismet”.

18-vjeçari për 152 minuta në Superligën e Turqisë ka shënuar 2 gola. Ai kishte shënuar në ndeshjen debutuese kundër një nga klubet më të mëdha në Turqi, Galatasaray.

Kujtojmë që futbollisti i talentuar nga Kaçaniku, ishte pjesë e Kosovës U21 në dy ndeshje miqësore ndaj Katarit. /IndeksOnline/