75 Mall Live Search
18:27 / E Enjte, 25 Shtator 2025 / H F

“Typhoon”-i amerikan në Japoni “tmerron” Kinën: Largojini sa më parë

Kina i ka kërkuar zyrtarisht Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të largojnë “sa më shpejt” nga territori japonez sistemin amerikan të raketave me rreze të mesme Typhoon, duke e konsideruar një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj. Ky reagim erdhi gjatë zhvillimit të stërvitjes së përbashkët Resolute Dragon, ku për herë të parë u vendos ky sistem antiraketë në Japoni.

Sistemi Typhoon ka një rreze veprimi prej 480 kilometrash, mjaftueshëm për të arritur brigjet lindore të Kinës. Sipas autoriteteve kineze, prania e tij dobëson fuqinë parandaluese të armëve bërthamore të Pekinit dhe krijon një kapacitet të ri sulmues pranë territorit të tij. “Vendosja amerikane e sistemit Typhoon në vendet aziatike cenon interesat legjitime të sigurisë së vendeve të tjera, shton rrezikun e garës së armatimeve dhe përplasjes ushtarake në rajon”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, shkruan A2 CNN.

Nga ana tjetër, Ministria japoneze e Mbrojtjes njoftoi se stërvitjet do të zgjasin deri më 25 shtator dhe synojnë forcimin e kapaciteteve të përbashkëta parandaluese me SHBA-në. Zyrtarët e Tokio-s siguruan se sistemi Typhoon nuk do të përdoret gjatë manovrave.

Mediat japoneze raportojnë se pas përfundimit të stërvitjes, raketat pritet të tërhiqen nga Japonia, si një mesazh i qartë për të shmangur tensionet me Kinën. Megjithatë, Pekini paralajmëron se çdo vendosje e tillë në Azi përbën rrezik serioz për sigurinë strategjike të rajonit. (A2 Televizion)