75 Mall Live Search
09:36 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / G T

“Tyson Fury ka një surprizë për shqiptarët!?”, Nelson Hysa për Indeksonlinen: Hyj në ring për fitore, nokauti vjen natyrshëm!

Boksieri shqiptar, Nelson Hysa po vazhdon marshimin e tij të sigurt në arenën profesioniste, duke ndërtuar një rekord mbresëlënës me 24 fitore, prej tyre 22 me nokaut, dhe duke konfirmuar statusin si një nga emrat më premtues të peshave të rënda shqiptare.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline.net, Hysa flet për mentalitetin e tij në ring, motivimin, planet për të ardhmen dhe raportin me kampionin e madh Tyson Fury.

“Hyj në ring për fitore, nokauti vjen natyrshëm”!

I njohur për fuqinë e tij goditëse, Hysa thekson se objektivi i tij kryesor është gjithmonë fitorja.

“Unë gjithmonë hyj në ring për fitore. Nokauti është pjesë e stilit tim dhe shpesh vjen natyrshëm gjatë meçit — kur shoh momentin e duhur, e shfrytëzoj”, shprehet ai.

Me gjithë natyrën e ashpër të sportit, motivimi i tij mbetet i palëkundur.

“Më motivon pasioni për boksin, familja ime dhe flamuri shqiptar. Edhe kur është e vështirë, kujtoj pse kam nisur dhe çfarë dua të arrij”.

Fokus, adrenalinë dhe kontroll në ring

Në ring, Hysa shfaqet i qetë dhe i kontrolluar, por ai zbulon se brenda tij zhvillohet një betejë tjetër.

“Jam shumë i fokusuar. Mundohem të lexoj kundërshtarin, të kontrolloj ritmin dhe emocionet. Duket ftohtë, por brenda është adrenalinë dhe koncentrim maksimal”.

Sa i përket figurave që e kanë ndikuar, ai thekson rëndësinë e familjes dhe mbështetësve të tij të afërt, pa lënë mënjanë respektin për kampionët e mëdhenj të boksit botëror.

Meçi i radhës dhe sfidat e mëdha

Për momentin, nuk ka një datë zyrtare për ndeshjen e ardhshme, por Hysa lë të kuptohet se diçka konkrete pritet shumë shpejt.

“Ende s’kam datë zyrtare, por besoj se shumë shpejt do ketë zhvillime.”

I pyetur se me cilin nga emrat e mëdhenj do të dëshironte të përballej, ai nuk përmend një kundërshtar specifik, por dërgon një mesazh të qartë:

“Do kisha dëshirë të përballem me më të mirët në botë. Aty provohet niveli real”.

Raporti me Tyson Furyn dhe “surpriza” për shqiptarët

Së fundmi, një fotografi e publikuar me Tyson Furyn ka nxitur spekulime për një përballje të mundshme në të ardhmen. Hysa konfirmon se mes tyre ekziston një raport miqësor dhe profesional.

“E kam mik të mirë — kemi kontakte dhe stërvitje bashkë vazhdimisht. Më ka thënë që ka një surprizë shumë të bukur për mua dhe për gjithë shqiptarët… Ta presim çfarë do na sjellë.”

A mund të ndodhë një ndeshje mes tyre?

“Kurrë mos thuaj kurrë. Unë jam gati për krejt botën”.

Mesazhi për tifozët shqiptarë

Në fund, Hysa nuk harron të falënderojë mbështetësit e tij.

“Faleminderit gjithë tifozëve shqiptarë për mbështetjen — energjia juaj më shtyn gjithmonë përpara. Premtoj gjithmonë zemër, luftë dhe spektakël në ring.”

Meçi i fundit i Nelson Hysa ishte në tetor të vitit të kaluar, ku fitoi ndaj kundërshtarit, Abel Pesut. Kjo “luftë” ishte zhvilluar në Tiranë në “Olympic Park Feti Borova”.

Hysa është gjithmonë pranë tifozëve shqiptarë, madje çdo fitore, sukses e feston me flamurin “kuqezi”./Indeksonline/ Granit Tërstena/