Tyson Fury, me plane konkrete: I mposhti edhe këta 3 boksierë dhe pensionohem

Boksieri britanik Tyson Fury ka konfirmuar edhe një herë se do të zhvillojë edhe tre duele të fundit dhe më pas do të tërhiqet. Jo vetëm kaq, por ai ka bërë gati edhe listën e boksierëve, që do të përballet.
Natyrisht që i pari në listë është Deontay Wilder, me të cilin do të përballet më 22 shkurt, një revansh pas barazimit të duelit të parë. Kjo sfidë është e vlefshme për titullin kampion bote në peshën e rëndë, në kategorinë WBC.
Ndërsa dy boksierët e tjerë janë britanikët: Anthony Joshua (kampion bote në kategoritë IBF, WBA dhe WBO) dhe Dillian Whyte. Kjo do të thotë që brenda vitit 2021 Tyson Fury do të tërhiqet, në moshën 32-vjeçare.
“Kam ende edhe 3 duele dhe më pas do të tërhiqem. I pari është Wilderi, më pas Joshua dhe Whyte dhe më pas do të largohem. Pasi të mund Wilderin dhe Joshuan do të dueloj me Whytet, pasi është i mandatuar dhe nuk ka pasur kurrë mundësinë të duelonte për titujt. E meriton një shans”, tha Fury.