U akuzua për kanosje, flet avokati i Elbert Krasniqit: Ministri ishte me familje, e vërteta do të dal në shesh
Gjatë ditës është raportuar se ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi po hetohet nga Prokuroria e Pejës për kanosje ndaj disa personave që dyshohet se ka ndodhur në trafik rrugor.
Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar, avokati i ministrit në detyrë Elbert Krasniqit, Artan Kastratia.
Në një deklaratë për IndeksOnline, Kastrati ka bërë të ditur se ministri Krasniqi ka dhënë dëshminë e tij në polici, duke mohuar plotësisht akuzat për kanosje si dhe pretendimet se ka pasur armë me vete gjatë ngjarjes.
Sipas avokatit, në momentin e incidentit ministri ka qenë së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët gjë që sipas tij e bën të pakuptimtë dhe të pabazë çdo pretendim për sjellje të rrezikshme.
“Në këtë rast duke pasur parasysh se denoncimi është bërë në një kohë të ndjeshme zgjedhore, gjë që e bën këtë çështje të dukshëm tendencioze dhe me prapavijë politike duke shtuar këtu faktin qe denoncuesit janë persona recidivistë të njohur për organet e drejtësisë, rasti është duke u trajtuar me kujdes nga organet kompetente, për faktin se realisht është rrezikuar siguria e ministrit dhe familjarëve të tij, e jo e kundërta. Prandaj, as që mund të flitet për kanosje nga ana e klientit tim”, ka thënë Kastrati për IndeksOnline.
Ai shprehet i bindur se hetimet do të zbardhin të vërtetën rreth këtij rasti.
“Procesi hetimor do të dëshmojë të kundërtën nga ajo që pretendohet dhe e vërteta do të dalë në pah plotësisht”, ka thënë Kastrati.
Kujtojmë që Prokuroria e Pejës ka nisur hetimet në lidhje me zbardhjen e këtij rasti ku i përfshirë është ministri në detyrë Elbert Krasniqi. /IndeksOnlin/

