75 Mall Live Search
13:00 / E Shtunë, 30 Nëntor 2019 / indeksADMonline

U anuluan për shkak të tërmetit, caktohet data e fillimit të ndeshjeve për klubet shqiptare

Tërmeti që goditi vendin tonë solli dhe ndërprerjen e Kampionatit Shqiptar të Futbollit.

FSHF ditën e djeshme njoftoi se do të niste një inspektim të stadiumeve për të parë gjendjen e tyre dhe nëse i rrezikohet jeta tifozëve.

Sakaq, Sektori i Garave pranë federatës ka bërë të ditur ditën e sotme oraret dhe ditën kur do të zhvillohen ndeshjet e javës së 14-të.

Kështu, java e 14-të do të luhet në dy ditë, të shtunën dhe të dielën e javës së ardhshme.

Ditën e shtunë janë në program tre ndeshje. Në orën 13:30 në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, Bylisi do të presë Partizanin, ndërsa në stadiumin “Gjirokastra”, Luftëtari do përballet me Vllazninë. Në “Selman Stërmasi” do zhvillohet kryendeshja mes Tiranës dhe Kukësit, takim i programuar për në orën 16:30.

Të dielën do të luhen dy sfidat e mbetura. Në Kurbin, Laçi do të presë Flamurtarin, sfidë që do nisë në orën 13:30, ndërsa në orën 16:30 në stadiumin “Niko Dovana”, do luhet dhe ndeshja fundit e kësaj jave, Teuta-Skënderbeu.

Ndërkohë ende nuk ka një njoftim zyrtar për javën e 14-të, javë që ka interes shumë të madh pasi luhet derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, që është dhe sfida më e zjarrtë e futbollit shqiptar.