12:07 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

U arrestua në Kosovë për tentimvrasje në Shqipëri, që dy vjet nuk ekstradohet!

Ahmet Ajeti, 35-vjeç nga Torina e Lipjanit është arrestuar në vitin 2016 nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet në Shqipëri me dyshimin për vrasje me pagesë, e ngelur në tentativë, të kryer në vitin 2005.

Por, pavarësisht arrestimit, ai ende nuk është ekstraduar në Republikën e Shqipërisë sipas kërkesës së tyre, raporton Indeksonline.

Krejt kjo vonesë, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë është bërë pasi i akuzuari Ajeti ka ushtruar padi ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për ekstradim.

Familjarët e Ahmet Ajetit kanë thënë se padia është bërë pasi atij i janë shkelur të drejtat që i takojnë. Ata kërkojnë rigjykim për familjarin e tyre pasi që është dënuar për një vrasje që nuk ka ndodhur, pra që ka ngelur në tentativë.

“Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, neni 9 nuk e lejon ekstradimin nëse është i dënuar në mungesë dhe është vendimi i formës së prerë edhe neni 11 nuk e lejon ekstradimin nëse nuk garantohet rigjykimi 100%. Se të tri gjykatat kanë dhënë të njëjtin vendim, Gjykata e Parë, Apeli dhe Gjykata më e lartë në Shqipëri e ka dhënë të njëjtin vendim si të pares dhe apelit në Shqipëri. Dhe nuk ka garancion për rigjykim”, kanë deklaruar familjarët.

Ahmet Ajeti është dënuar në mungesë nga Gjykatat në Shqipëri me 20 vjet burg efektiv. Në Aktgjykim thuhet se Ahmet Ajeti është dënuar për kryerje të veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur me datë 30.08.2015.

Indeksonline ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë për të marrë informacione në lidhje me këtë rast, mirëpo të njëjtit kanë sugjeruar që pyetjet t’i adresohen Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi që sipas informatave të fundit që ata kanë marrë, procedura në lidhje me këtë çështje është ende në zhvillim.

E në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë konfirmuar se autoritetet në Shqipëri kanë kërkuar ekstradimin e Ajetit me 16 maj 2017 dhe ishte lejuar ekstradimi i tij, por për shkak të një padie që i akuzuari ka parashtruar kundër MD-së, rasti ende mbetet i hapur.

“Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktvendimin, NjN.nr.1/16, ka lejuar ekstradimin e të njëjtit për në Republikën e Shqipërisë, por i njëjti pastaj ka bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për ekstradim”, ka deklaruar për Indeksonline, Mirlinda Gashi, Zyrtare për Informim në GjThP.

Ajo ndër të tjera thotë se aktualisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë – në Departamentin për Çështje Administrative ka përfunduar procedura lidhur me këtë çështje dhe tani është duke u bërë përpilimi i aktgjykimit./Indeksonline/