75 Mall Live Search
11:27 / E Premte, 26 Mars 2021 / k.v

U arrestuan dje në operacionin “Stuhia”, prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për krime të rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj katër personave të pandehur me inicialet A.L., Komuna Ferizaj, H.Z., Komuna Viti, M.K.,- Komuna Ferizaj dhe E.I.,- Komuna Prishtinë, të cilët gjenden në ndalim nga 25 marsi 2021, për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 dhe 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-ës.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.L. H.Z. dhe M.K., nga 17 tetori 2020 e deri më 25.03.2021, në Ferizaj dhe në disa qytete të Kosovës, në bashkëveprim kanë importuar armë – pistoleta, pushkë automatike, armë ushtarake zollë, pushkë gjuetie si edhe municion dhe paisje të tjera për armë nga Republika e Maqedonisë, të cilat i kanë shitur nëpër vende të ndryshme të Kosovës, me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”

Ndërsa, për të pandehurit A.L., H.Z., M.K dhe E.I., ekziston dyshimi i bazuar se kanë poseduar pa autorizim armë në kundërshtim me Ligjin mbi armët, me ç’rast kanë kryer veprën penale: “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga nen 366 paragrafi 2 të KPRK-së.