75 Mall Live Search
14:34 / E Premte, 22 Nëntor 2024 / Z S

U arrestuan për masakrën e Dobraçit, gjykata jep vendimin për 4 efektivët e forcave “Shqiponja”

Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masat e sigurisë për 4 efektivet e forcës “Shqiponja” që u arrestuan nga AMP për atentatin e 30 tetorit me 4 viktima në Dobraç.

“Detyrim paraqitje”, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim nga detyra” janë masat për të katër policët.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore referoi disa javë më parë materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzoi efektivët e policisë së Shkodrës për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën e Dobraçit, raporton Topchanel.

Sipas burimeve, AMP-ja kishte dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikte nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.

Ende mbetet mister personi që del në videot e filmuara pak minuta pas masakrës.

Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër më 30 tetor i kaloi për hetim SPAK-ut një ditë më parë. Prokuroria dyshon se krimin e ka kryer një grup i strukturuar kriminal.

Nga elementët që ka gjetur policia lokale e Shkodrës dhe Prokuroria e Shkodrës ka dyshime dhe bindjen se vrasjet u kryen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Krimet e kryera në kuadër të grupit të strukturuar janë kompetencë e SPAK-ut dhe për këtë arsye i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme për hetime më të thelluara. Sapo dosja të administrohet në protokoll, pritet të hidhet shorti prej nga ku do të caktohet grupi hetimor i posaçëm./Indeksonline/