75 Mall Live Search
11:32 / E Shtunë, 02 Nëntor 2024 / FR

U.D i dekanit në Universitetin e Pejës, Ylber Januzaj, akuzon burokracinë e brendshme për bllokimin e programit Shkenca dhe Inxhinieri Kompjuterike

U.D i dekanit në Universitetin e Pejës, Ylber Januzaj, ka njoftuar se më datë 07.10.2024, ka dorëzuar kërkesën në senat për rekrutimin e stafit akademik për të funksionalizuar njësinë dhe për të akredituar programin në Shkenca dhe Inxhinieri Kompjuterike.

Januzaj, në emisionin e Radio Kosovës, është shprehur që ky proces është bllokuar nga rezistenca të brendshme burokratike, ku sipas tij kjo është e papranueshme.

“Sot, në emisionin e Radio Kosovës, diskutuam për një temë tejet të rëndësishme: kërkesën për profesionistë në fushën e teknologjisë së informacionit. Në këtë drejtim, Universiteti “Haxhi Zeka” ka bërë një hap të rëndësishëm, pasi, me mbështetjen e plotë të MAShTI-t, Këshilli Drejtues ka themeluar Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore. Kjo është një mundësi e artë për të rinjtë tanë dhe për zhvillimin e teknologjisë në vendin tonë.

Si u.d. Dekan i këtij fakulteti, më datë 07.10.2024, kam dorëzuar kërkesën në senat për rekrutimin e stafit akademik për të funksionalizuar njësinë dhe për të akredituar programin në Shkenca dhe Inxhinieri Kompjuterike. Mirëpo, ndodhemi përballë një situate të papranueshme, pasi ky proces është bllokuar nga rezistenca të brendshme burokratike. Kjo është e papranueshme!”, ka thënë Januzaj.

Sipas Januzaj, bllokimi i këtij programi përbën një keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ata që e bllokojnë po dëmtojnë interesin publik.

“Fuqia jonë si shoqëri qëndron në investimin në arsim dhe në krijimin e mundësive për të rinjtë tanë. Tani është koha të veprojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi nga ata që po pengojnë këtë proces jetik. Bllokimi i këtij programi përbën një keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ata që e bllokojnë po dëmtojnë interesin publik.

Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që burokracia të frenojë zhvillimin tonë. Është koha të bashkohemi dhe të kërkojmë një të ardhme më të mirë për Pejën, për të rinjtë tanë dhe për shoqërinë tone”, ka thënë tutje Januzaj./Indeksonline/