75 Mall Live Search
12:45 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2024 / MSH

U.d. i drejtorit të AAC-së dërgon në “ekskursion” zyrtaren ekzekutive

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Burim Dinarama, ka miratuar trajnim të fushës së aviacionit për zyrtaren e tij ekzekutive të cilës nuk i nevojitet ky trajnim për të kryer punët administrative dhe sekretariale që ka në përshkrim të detyrave të punës. Ai ka autorizuar shpenzimet me para publike për ndjekjen e trajnimit “Menaxhimi i Transportit Ajror,” në IATA të Gjenevës për Zyrtaren Ekzekutive (fillimisht ishte aprovuar trajnimi për “Air transport economics” në IATA Germany, Frankfurt), për tu aprovuar më pas trajnimi me temën e menaxhimin në transport ajror https://www.iata.org/en/training/courses/air-transport-management/tcvg10/en/ .

Ky trajnim është i domosdoshëm për stafin profesionist të aviacionit që përgatitet për mbikëqyrje të sigurisë ose për çështje ekonomike dhe për t’u pajisur me kredencialet e inspektorit e jo për personel administrate dhe kostoja e përafërt e këtij shpenzimi është më shumë se 2000 Euro.

Ndërkohë, U.D Drejtori i Përgjithshëm ka refuzuar trajnime të ngjashme për stafin profesionist të aviacionit, të cilët angazhohen ekskluzivisht me mbikëqyrjen e aviacionit dhe për të cilët këto trajnime janë jetike për përmbushjen me kompetencë të detyrave. Ai poashtu ka diskriminuar stafin tjetër administrativ të cilët poashtu kanë synime për tu trajnuar në fushën e aviacionit. Kjo ngjall dyshime se dërgimi pikërisht i kësaj zyrtareje po bëhet për shkëmbim favoresh.

Praktika të tilla të filluara nga ish drejtori i shkarkuar për keqmenaxhim Bujar Ejupi kanë disa pasoja prej më të rëndësishmeve:

  1. Dëmtim i buxhetit nga shpenzime të panevojshme të fondeve publike – Investimi në trajnime të panevojshme për individë që nuk kanë lidhje me fushën përkatëse përbën një humbje për institucionin dhe buxhetin e tij.
  2. Dobësim të përformancës profesionale – Mungesa e trajnimeve të nevojshme për profesionistët e mbikëqyrjes ul kualifikimin dhe përgatitjen e tyre, duke rrezikuar sigurinë e përgjithshme të aviacionit.
  3. Demotivim i stafit të kualifikuar – Përjashtimi i stafit nga trajnime të nevojshme dhe favorizimi i individëve të tjerë pa lidhje të drejtpërdrejtë me fushën përkatëse krijon pakënaqësi dhe dëmton moralin e ekipit.

AAC vazhdon të jetë një institucion me probleme serioze, dhe ky rast i veçantë nënvizon domosdoshmërinë e ndërhyrjes së qeverisë për rivendosjen e standardeve të profesionalizmit dhe transparencës, me qëllim sigurimin e një menaxhimi të drejtë dhe të përgjegjshëm që respekton nevojat e institucionit dhe sigurinë e aviacionit. Pozita e DP të AAC po mbahet që 15 muaj me ushtrues detyre në kundërshtim me ligjin ndërsa Corrwatch pat raportuar se gjatë konkursit për pozitën e Drejtorit janë futur në listën e ngushtë zyrtarë që nuk i plotësojnë kriteret. Për këtë arsye, procedura e konkursit tani është duke u hetuar nga Prokuroria.