75 Mall Live Search
21:51 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / Burim

“U dhunova nga ushtria izraelite”, aktivistja e njohur Greta Thunberg tregon provat tronditëse

Aktivistja e njohur, Greta Thunberg, ka rrëfyer për herë të parë përvojën tronditëse gjatë pesë ditëve të ndalimit nga ushtria izraelite, pasi u kap në anijen humanitare për Gazën.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën suedeze Aftonbladet, ajo ka treguar se si është fyer, abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht nga forcat izraelite.

Sipas Thunberg, një valixhe e saj e kuqe ishte bërë objekt talljeje dhe urrejtjeje, e mbuluar me vizatime fyese intime, përfshirë një flamur izraelit.

“Ushtarët izraelitë ma përsëritnin këtë fjalë pa pushim. Më fyenin, më godisnin me grushte dhe me shkelma, më bënin foto pa lejen time, thjesht sepse mundeshin. Ishte një mungesë totale e ndjeshmërisë njerëzore”, ka treguar ajo, transmeton tch.

Thunberg, e cila u arrestua së bashku me anëtarët e tjerë të anijes humanitare dy javë më parë, tha se përvoja e saj nuk është asgjë krahasuar me atë që përjetojnë palestinezët në mënyrë të përditshme:

“Nuk bëhet fjalë për mua apo anijen. Ka mijëra e mijëra palestinezë, përfshirë qindra fëmijë, të burgosur pa gjyq. Shumë prej tyre me shumë gjasë torturohen”.

“Nëse ata guxuan të më trajtonin kështu mua, një vajzë e bardhë, e njohur, me vëmendjen e gjithë botës mbi mua, imagjinoni çfarë janë të aftë të bëjnë me palestinezët, në fshehtësi, larg syve të mediave”, theksoi ajo.

Në një moment të rrëfimit, Thunberg tregon se pa rreth 50 njerëz, në gjendje çnjerëzore, duke përshkruar kushtet e rënda të burgut Ketziot.