75 Mall Live Search
09:28 / E Premte, 07 Nëntor 2025 / KV

U gjetën dy armë dje, në vendin e krimit, policia jep detajet e fundit nga vrasja e dyfishtë, në Gollubovc

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku më 6 nëntor mbetën të vrarë dy vëllezërit Morina.

Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë krim.

Hetimet janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, me qëllim ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e autorit.

Sot në mëngjes, më 7 nëntor 2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë të Malishevës, policia ka arritur ta arrestonte personin e dyshuar Astrit Isufi (1983), mashkull kosovar nga Sankoci i Drenasit.

Pas arrestimit, i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor pasi ishte i plagosur, me plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK nën masa sigurie.

Policia ka konfirmuar se hetimet për rastin janë ende në zhvillim dhe po udhëhiqen në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit./IndeksOnline/