12:28 / E Hënë, 01 Mars 2021 / OSH

U gjobitën se mbajtën tubime me qytetarë, partitë vazhdojnë t’i kenë borxh Prishtinës 40 mijë euro

Ndonëse në kohë pandemie, Kosova ka zhvilluar zgjedhje të jashtëzakonshme, më 14 shkurt. Këtyre zgjedhjeve u parapriu fushata zgjedhore e në të cilën vazhdimisht kemi parë grumbuj njerëzish, grumbull ky në kundërshtim me Ligjin antiCovid të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Për të gjitha tubimet që janë mbajtur nga partitë politike në Prishtinë e të cilat janë zhvilluar në kundërshtim me nenet e këtij ligji, Drejtoria e Inspektoratit ka shqiptuar gjoba.

Drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri, ka treguar për IndeksOnlinen se nga 20 gjoba sa janë shqiptuar për partitë politike, asnjëra nga to nuk është paguar, apo të paktën ata nuk kanë marrë ndonjë dëshmi nga këto subjektet që kanë kryer pagesën.

“Janë shqiptuar 20 gjoba. 7 për Vetëvendosjen, 5 për LDK-në, 3 për AAK-në, 1 për Nismën dhe 1 për AKR-në. Deri tashti, asnjëri subjekt nuk ka sjell dëshminë e fletpagesës”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Ai ka treguar se afatet për pagesën e këtyre gjobave janë sikurse ato të Ligjit për kundërvajtje, në afat kohor prej 2 javësh.

“Afatet janë të paraqitura në Ligjin për kundërvajtje dhe pas kalimit të afatit varësisht nga data e gjovës procedohen te përmbaruesi”, nënvizoi Tahiri.

Ndryshe këto parti të cilat janë gjobitur me nga 2 mijë euro, i kanë borxh komunës 40 mijë euro gjithsej.