“U godita pasi kërkova qetësi gjatë një kontestimi vote”, flet kryetari i KZAZ 30

Kryetari i KZAZ-së nr. 30 në Tiranë, Remzi Mehmeti, ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka sqaruar incidentin e ndodhur mesditën e së enjtes në qendrën e numërimit të votave në Kashar, ku ai u godit nga një vëzhgues.-
Mehmeti ka shpjeguar se zanafilla e konfliktit lidhej me një votë të kandidatit të PS-së, Orlando Rakipi, e cila po kontestohej nga disa vëzhgues ndërsa shpjegon se ka kallëzuar penalisht personin që e goditi.
Sipas tij, vëzhguesit kishin filluar të kundërshtonin vendimin për votën me tone të larta.
“Ata nga pjesa e vëzhguesve po kontestonin një votë me zë të lartë. Shkova aty pranë dhe u kërkova të qetësoheshin. Ata filluan të ofendonin dhe të bërtisnin.”
Mehmeti tregon se në momentin kur i paralajmëroi për marrjen e masave për largim nga salla, situata doli jashtë kontrollit:
“U thashë se do kërkoja largimin e tyre nga KZAZ. Në atë moment kaluan perimetrin e sigurisë dhe, siç e keni parë në pamje, një prej tyre më ofendoi dhe më goditi.”
Ai shtoi se bëhej fjalë për një votë për kandidatin Orlando Rakipi, që duhej vlerësuar nga KZAZ-ja, sipas procedurave.
“Procedura parashikon që KZAZ-ja të mblidhet për të vlerësuar kur ka kontestime nga vëzhguesit, por nuk na u la mundësia ta bënim këtë. Kam kallëzuar penalisht në Komisariatin nr. 6 personat e përfshirë, të cilët nuk i njoh. Ne jemi të vendosur ta kryejmë detyrën, pavarësisht këtyre situatave,” – tha kryetari i KZAZ-së, Remzi Mehmeti.
Policia ka ndaluar 26-vjeçarin Rei Nozlli në lidhje me goditjen e kryetarit të KZAZ në Kashar./Indeksonline/