U kap mbi 1 ton drogë në Pejë, Policia jep detaje rreth aksionit të djeshëm

Një aksion disa orësh në Pejë rezultoi me sekuestrimin e mbi një toni drogë të premtën në Pejë.
Substanca narkotike e llojit kanabis sativa, në vlerë prej afro 5 milionë eurosh, u gjet në malet e fshatit Sferkë, raporton IndeksOnline.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga ky aksion janë sekuestruar 2530 euro para të gatshme, gjashtë telefona mobil, 133.95 kg substancë narkotike marihuanë dhe një sasi e madhe e drogës të përpunuar dhe të pa përpunuar.
Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë thënë e personi i arrestuar për këtë rast është Aleks Gerbi shtetas i Shqipërisë.
Sipas policisë, i dyshuari kishte mbjella 2850 bimë të llojit kanabis-sativa të cilat janë shkatërruar.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Republikës Shqipërisë, pasi që kishte mbjella 2850 bimë të llojit kanabis-sativa të cilat janë shkartuar, ndërsa janë sekuestruar 2530 euro para të gatshme, gjashtë telefona mobil, 133.95 kg substancë narkotike marihuanë dhe një sasi e madhe e drogës të përpunuar dhe të pa përpunuar, e cila pritet të peshohet në ditë e ardhshme, pasi që kalon peshën e një toni, me vlerë rreth pesë milion. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin 24-orësh të policisë.
Sekuestrimin e kësaj drogë e ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme për IndeksOnline, Shkodran Nikçi zëdhënës i Prokurorisë Themelorë në Pejë, ku është shprehur se aksioni i antidrogës është më i madhi i ndodhur pasluftës në Kosovë.
Indeksonline ka ndjekur nga afër këtë aksion, ku ka sjellur pamje gjatë aksionit të policisë./Indeksonline/