75 Mall Live Search
14:33 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / P M

U kërcënua me jetë/ Qeveria franceze i del në krah ish-presidentit të Francës, do të ketë mbrojtje të përhershme policore në burg

Pas kërcënimeve me jetë nga të burgosurit, ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, do të ketë dy oficerë policie të stacionuar pranë qelisë së tij, për aq kohë sa ai të jetë në burg.

Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri i Brendshëm i Francës. Sarkozy mbërriti dje në burgun e La Sante në Paris, ku do të vuajë dënimin për pesë vjet. Ai u dënua për konspiracion për të mbledhur fonde për fushatën nga Libia.

Sot, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha për radion Europe 1 se dy oficerë policie nga një njësi sigurie që mbron ish-presidentët do të vendosen përgjithmonë në qelitë fqinje gjatë gjithë burgosjes së Sarkozysë.

“Ish-presidenti i republikës ka të drejtë për mbrojtje për shkak të statusit të tij. Pa dyshim që ekziston një kërcënim kundër tij dhe kjo mbrojtje po mbahet ndërsa ai është në paraburgim”, tha Nuñez.

Ai tha se oficerët do të qëndrojnë në krah të Sarkozisë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Mediat franceze raportuan se oficerët do të jenë anëtarë të një ekipi që do të bëjnë ndërrime me rotacion në burg.

Sarkozy do të mbahet në njësinë e izolimit të La Santé, ku të burgosurit janë të vendosur në qeli të veçanta dhe mbahen të ndarë gjatë aktiviteteve në natyrë, që do të thotë se ai nuk duhet të jetë në kontakt me të burgosur të tjerë.

Avokatët e ish-presidentit francez kanë paraqitur një kërkesë për lirim të parakohshëm, në pritje të gjyqit të tij në apel, dhe thanë se prisnin që kjo kërkesë të shqyrtohej brenda rreth një muaji. Ata thanë se shpresonin ta lironin atë me lirim të parakohshëm deri në Krishtlindje.

Sarkozy vazhdimisht i ka mohuar të gjitha akuzat dhe e ka quajtur çështjen të motivuar politikisht.