22:50 / E Enjte, 03 Shkurt 2022 / SH F

U kompensuan për karburant, s’kanë as vetura të deklaruara në Formularin e Pasurisë

Pagat e larta e mëditjet nuk u kanë mjaftuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata janë kompensuar për të shkuar edhe në seanca e mbledhje të komisioneve parlamentare.

Por, dy deputetë të Vetëvendosjes, të cilët janë kompensuar për derivate, po del që nuk kanë fare as vetura të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i cili ka marrë 690 euro si kompensim për derivate për udhëtim nga Prizreni, nuk ka fare veturë të deklaruar nën posedim.

Kështu rezulton nga deklarimi i tij i pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, Abrashi nuk ka të deklaruar ndonjë veturë as në pronësinë e tij dhe as të bashkëshortes.

Edhe bashkëpartiakja e tij, Yllza Hoti, e cila është kompensuar me 810 euro, nuk ka të deklaruar në antikorrupsion ndonjë veturë në pronësi të saj.