U mbajtën diskutimet e para konsultative ndërmjet ministrive të jashtme të Kosovës dhe Izraelit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin e saj social në Facebook, se ka pasur takimin e parë zyrtar konsultativ ndërmjet Drejtorive të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, me të cilët ka diskutuar për detajet e vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Haradinaj-Stublla ka vënë në dukje gatishmërinë për ndërtimin e marrëdhënieve të plota në të gjitha fushat, si dhe për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Të dyja palët diskutuan edhe aspektet teknike-logjistike për aranzhimin e vizitës së parë zyrtare në Shtetin e Izraelit të delegacionit të Republikës së Kosovës në muajin e ardhshëm.”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.