U përmbyll me sukses stërvitja fushore e njësive të FSK-së në kuadër të Stërvitjes “Defender-Europe 21”

Pas 12 ditë të zhvillimit të operacioneve të ndryshme stërvitore, njësitë e angazhuara të FSK-së, sot, sipas planifikimit paraprak, në zonën e trajnimit, në Babaj i Bokës, demonstruan pjesën kryesore të stërvitjes, duke përmbyllur me sukses, angazhimin e tyre kryesor në kuadër të stërvitjes së drejtuar nga ushtria amerikane “DEFENDER-Europe 21”.

Për të përcjellë nga afër këtë stërvitje, në Ditën e Vizitorëve të Shquar, ishin presidentja Osmani, kryeministri Kurti, zv/kryeministrja Gërvalla, ministri Mehaj, ministri Sveçla, zëvendësministri Syla, gjeneral Rama, deputetë, ambasadorë dhe atashe të mbrojtjes së vendeve mike, si dhe ushtarakë të lartë të FSK-së dhe forcave partnere. Gjithashtu, me praninë e tij, në këtë ngjarje të veçantë, na nderoi edhe zv.komandanti i Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë për mobilizim, gjeneralbrigade Jed Schaertl.

Në fillim, strukturat komando-shtabore dhe ato taktiko-operative të njësive të FSK-së, demonstruan me sukses të lartë të gjitha fazat e stërvitjes sipas skenarit të planifikuar.

Më pastaj, atyre me fjalë rasti iu drejtuan presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti të cilët shprehën përgëzimet dhe vlerësimin më të lartë për nivelin e shkëlqyeshëm profesional të demonstrimit të operacioneve stërvitore. Ata gjithashtu, shprehën falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për ushtrinë e SHBA-së në përgjithësi dhe kontingjentin e ushtarakëve të angazhuar për vlerësimin e stërvitjes në veçanti për mbështetjen e tyre të pakursyer për suksesin e sotëm dhe të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së. Mes tjerash, presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, gjithashtu theksuan se ky nivel vërteton faktin se FSK jo vetëm që është e vullnetshme, por edhe e gatshme dhe e aftë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale, krahas ushtrive të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s, aspiratë kryesore e vendit në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Lidhur me aspektin operacional të stërvitjes, gjeneral Rama, theksoi se qëllimi kryesor dhe objektivat e stërvitjes janë arritur në shkallën e synuar duke besuar se edhe ekipi i përbashkët vlerësues i FSK-së dhe forcave amerikane do të japin vlerësim të ngjashëm e që nënkupton se FSK ka arritur standardet për validimin e komponentes së parë luftarake për mbrojtjen e territorit.
Në këtë vit, ky është suksesi i madh i radhës i njësive të FSK-së, pas atij të dislokimit të kontingjentit të parë jashtë vendit krahas forcave amerikane.
