75 Mall Live Search
11:47 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / AR

U rrëzua në skenë teksa performonte, reagon këngëtarja

Këngëtarja britanike Lola Young ka reaguar pas një momenti shqetësues që përjetoi në skenë gjatë performancës së saj në festivalin “All Things Go” në New York të shtunën.

Gjatë interpretimit të këngës së saj “Conceited”, artistja 23-vjeçare u rrëzua papritur në skenë, duke shkaktuar alarm mes spektatorëve. Në disa video të publikuara nga fansat, shihet momenti kur ajo bie prapa, ndërsa performanca ndalet menjëherë dhe ekipi i saj nxiton për ta ndihmuar.

Pas incidentit, Lola Young publikoi një mesazh në rrjetet sociale, ku siguroi fansat se tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore:

“Për të gjithë ata që panë performancën time sot në All Things Go, jam mirë tani. Faleminderit për gjithë mbështetjen tuaj.”

Sipas “People”, pak para rrëzimit, Lola kishte ndarë me publikun një moment emocional:

“Ndonjëherë jeta të bën të ndihesh sikur nuk mund të vazhdosh. Por sot u zgjova dhe vendosa të jem këtu. Nuk dua të mbytem në trishtim.”

Pas ngjarjes, këngëtarja anuloi pjesëmarrjen e saj në pjesën tjetër të festivalit që zhvillohej të dielën në Columbia, Maryland.

Në një tjetër deklaratë, ajo shtoi:

“E dua këtë punë dhe kurrë nuk i marr për të mirëqena as angazhimet, as publikun. Më vjen keq për ata që u zhgënjyen.”

Në fund, Lola Young kërkoi mirëkuptim dhe pak empati:

“Për ata që duan të jenë të këqij online, ju lutem më jepni një ditë pushim.”