U sfilit 4 orë në autobus, Reja eviton torturën e dytë të kombëtares
Sikur të mos mjaftonte udhëtimi i gjatë në bordin e autobusit, për të përshkuar distancën nga Këln drejt Frankfurtit, axhenda e kuqezinjve gjatë qëndrimit në kampingun gjerman, në kuadër të përgatitores për dy ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020”, respektivisht ndaj Islandës dhe Moldavisë, kishte parashikuar një udhëtim të përditshëm, afro 1 orë nga hoteli për në fushën stërvitore.
Një torturë e dytë kjo e evituar falë ndërhyrjes së panegociueshme të trajnerit të ri kuqezi, Edy Reja. Ky i fundit, sikurse zbulojnë mediat gjermane, që citojnë informacionin e dhënë nga menaxheri i hotelit ku është akomoduar ekipi përfaqësues, ka kërkuar që seancat stërvitore të programuara për tu zhvilluar në stadiumin e Eintracht Frankfurt të zhvendosen në një fushë stërvitore më pranë hotel Rilano.