U shkarkua nga Kurti, Basri Ibrahimit, Ispektorati i jep të drejtë të kthehet në punë

Qeveria e Kurtit, do të mbetet në kujtesën e qytetarëve ndër të tjera për shkarkimet e bëra të kryeshefave ekzekutivë të kompanive e ndërmarrjeve publike në vend. Mirëpo po ashtu kësaj qeverie, përkatësisht të bordeve të ndërmarrjeve publike, për të disatën herë, Inspektorati i ka kërkuar që të anulojë vendimet e marra.
Këtë herë edhe Inspektorati i Punës, ka vendosur në favor të Basri Ibrahimit, i cili ishte ankuar për vendimin ndaj tij.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnlinen, Basri Ibrahimi, i cili ka thënë se mund të shfrytëzohen edhe disa procedura deri në rikthimin e tij në vendin e punës dhe se për këtë vendos bordi aktual i Sh.A” Trepça”.
“Bordi mbikqyrësë, varet nga ky bord se si do të veproj tutje, e kanë të drejtën e ankesës edhe pse nuk kanë asnjë mbështetje ligjore për ta bërë këtë, sepse thjeshtë nuk kanë pas kourum por se është çështje procedurale që ata mund ta përdorin”, tha Ibrahimi për IndeksOnlinen.
Se a do të mund të kthehet shpejtë në vendin e tij të punës, Ibrahimi ka thënë se duke pas parasysh se ky bord është politik dhe emërimet e bordeve janë politike, nuk do ta paragjykoj rrjedhën e kësaj situate.
“Unë po shpjegoj vetëm procedurat si mund të ndodh edhe pse në parimë është një vendim aq i qartë dhe ata në fakt nuk do të duhej të humbisnin kohë dhe as të merren me këtë cështje. Por si borde politike që janë këto, unë besoj se ata edhe më tutje do të veprojnë vetëm për të zvarrit, përndryshe nuk kanë asnjë bazë ligjore për ta zvarritur”, theksoi Ibrahimi për IndeksOnline.