75 Mall Live Search
17:01 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / LB

U shpall “Lojtari i Ndeshjes”, ylli i ri i Liverpool shpërblehet me një milionë Yen pas fitores në miqësore

Liverpool vijon përgatitjet për sezonin e ri me një tjetër fitore në miqësore, këtë herë ndaj Yokohama F. Marinos me rezultatin 3-1 në Japoni, në një ndeshje ku në skenë doli mesfushori gjerman Florian Wirtz, jo vetëm me golin e tij të parë, por edhe me një çmim të veçantë.

22-vjeçari u shpall “Man of the Match” dhe fitoi një shpërblim prej 1 milionë Yen (rreth 6 mijë euro). Një mënyrë e veçantë për të përmbyllur një mbrëmje emocionuese në një stadium të mbushur me mbi 65 mijë tifozë.

Wirtz barazoi shifrat pas avantazhit të vendasve, duke përfituar nga një pasim i Mohamed Salah dhe dërguar topin në rrjetë me një goditje të fortë me të djathtën nga brenda zonës.

“Jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë për Liverpool-in. Shpresoj që të ketë edhe shumë të tjerë në të ardhmen,” tha Wirtz, i cili u transferua këtë verë nga Bayer Leverkusen në një marrëveshje rekord, transmeton tch.

Për Liverpool-in shënuan gjithashtu edhe Trey Nyoni dhe Rio Ngumoha, duke përmbysur rezultatin pasi Asahi Uenaka kaloi Yokohama-n në epërsi në minutën e 55-të.

Debutoi edhe sulmuesi francez Hugo Ekitike, i ardhur nga Eintracht Frankfurt për 69 milionë paund, ndërsa klubi konfirmoi zyrtarisht largimin e Luis Diaz drejt Bayern Munich.

Trajneri Arne Slot deklaroi pas ndeshjes: “Ishte e rëndësishme të fitonim dhe të kthenim ndeshjen, por duhet të përmirësohemi në konkretizim. Mbase është lodhja e stërvitjeve apo nxehtësia, por duhet të jemi më klinikë.”

Portieri Alisson Becker mungoi për arsye personale, pasi është kthyer në Brazil, ndërsa pak para nisjes së ndeshjes u mbajt një homazh emocional për Diogo Jota, i cili humbi jetën këtë muaj në një aksident tragjik.

Liverpool dominuan pjesën më të madhe të lojës dhe treguan thellësinë e skuadrës, me të rinjtë që po lënë gjurmë dhe me Wirtz që tashmë ka nisur të justifikojë pritshmëritë e mëdha.