10:22 / E Martë, 04 Shkurt 2020 / indeksADMonline

U shpall person në kërkim, falë ndihmës së qytetarëve, policia arreston Elton Arifajn

Qytetarët kanë ndihmuar Policinë e Kosovës për arrestimin e personit të kërkuar për veprën penale: “Blerje, posedim, shpërndarje, apo shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm apo substancave psikotrope dhe analoge” pas publikimit të fotos së personit në kërkim nga policia.

“Policia e Kosovës -Drejtoria Rajonale  e Policisë në Pejë, më 06.12.2019, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar ELTON (Arif ) ARIFAJ i lindur me 13.09.1985  në Pejë, i cili kërkohej për veprën penale: “Blerje, posedim, shpërndarje, apo shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm apo substancave psikotrope dhe analoge” dhe ai ishte i dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 50 ditësh. Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të dënuar, ka arritur të siguronte informacion lidhur me vendndodhjen e tij dhe më 03.02.2020 rreth orës 17:00 është bërë lokalizimi i tij, ai ndodhej në rrugën “ Mujë Krasniqi” në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për media.

Njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë ne Pejë, menjëherë e kanë arrestuar të kërkuarin e lartcekur, së bashku me të kërkuarin është arrestuar edhe një person i dyshuar D.M. i lindur më 1994, për të njëjtën vepër penale dhe pas arrestimit gjatë bastisjes në banesën në të cilën qëndronin të dyshuarit janë  gjetur dhe konfiskuar nga Njësiti i trafikimit me narkotik: 472.1 gramë narkotikë e llojit marihuantë, 1- peshore elektronike për peshim ne pesha të vogla, 1- mulli (grinder), 2- telefona mobilë, 115.77 euro (njëqind e pesëmbedhjetë e shtatëdhejetë e shtatë centë), disa qindra qese të vogla plasmasi për ambalazhim të substancës së dyshuar.

“Personi i dyshuar pas intervistimit ndalohet në ndalim policor për t’u intervistuar për një vepër tjetër penale të vitit 2017 si i dyshuar për “zjarrvënie” e pastaj do të dërgohet në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me policinë e tyre do të çojë në përforcimin e mëtejshëm të policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore. Për suksese në parandalimin e krimeve, qytetarët nuk duhet hezituar, duhet të kthehen në polici pa uniforma dhe vetëm me bashkëpunimin e tyre si në të gjitha vendet e qytetëruara, do të arrijmë të jetojmë në një vend me të sigurt. Policinë e Kosovës në rajonin e Pejës e ndihmuan qytetarët dhe falënderojmë të gjithë për besimin dhe shtimin e bashkëpunimit në realizimin e planeve për të mirën e vet qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftimin e PK-së./Indeksonline/