12:06 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

U specializua në stomatologji, i refuzohet punësimi në Fakultetin e Mjekësisë

Vetëm vitin e kaluar rreth 200 mjekë kanë kërkuar vërtetimet për etikën në punë, me anë të së cilës mund të punësohen si mjekë në Gjermani. Shumë të rinj po largohen nga vendi për të gjetur punë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Dikush ka zgjedhur të qëndrojë në Kosovë, por në vendin ku ka lindur po i bëhen shumë padrejtësi.

Jeta Kelmendi ka studiuar për Stomatologji në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka qenë një studente e dalluar me notë mesatare 9,4, ndërsa studimet postdiplomike i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit.

Derisa flet e zhgënjyer, Jeta thotë se tash e shtatë vjet po e shqetëson padrejtësia që po i bëhet për punësim në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo tregon se ka aplikuar dy herë për punësim si staf i rregullt, megjithatë të arriturat e saj nuk janë marrë parasysh.

“Padrejtësitë dhe parregullsitë janë ato që po më shqetësojnë gjatë gjithë kohës në pjesën e konkurseve për staf të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Në konkursin e shpallur më 22 tetor 2019, që ka qenë i hapur deri më 5 nëntor 2019, jam një kandidat i atij konkursi për pozitën e 32 që ka qenë lënda në Ortodencinë Paraklinike. Për këtë pozitë mendoj që i kam plotësuar dhe kam punuar për të qenë një kandidat i devotshëm dhe meritor për këtë pozitë, dhe duke pasur parasysh rregulloren e re të UP-së e cila ka dalë më 18 tetor, ku e potencon edhe vet rektori në mbledhjen e senatit të asaj kohe, që në këtë konkurs nuk do të ketë shkelje në cilësinë e kandidatëve”, thotë Kelmendi.

Jeta ishte një nga të rekomanduarat për pozitën në të cilën ka aplikuar, për këtë ajo dyshon në paanshmërinë e anëtarëve të komisionit vlerësues.

“Në njërën anë mendoj duke filluar me komisionin vlerësues, ku e kam vetëm nënshkrimin e kryetarit të komisionit, dyshoj në paanshmërinë e dy anëtarëve të tjerë. Pasi që nëse merret parasysh dokumentacioni dhe merret me seriozitet në përzgjedhjen dhe vlerësimin e kandidatëve atëherë në ato shihet që unë i plotësoj kushtet edhe për titullin e profesorit, nuk është vetëm për pjesën e pozitës që unë aplikoj, që është asistent i rregullt. Kjo parregullsi nuk vlerësohet prej anëtarëve të tjerë përgjegjës, kompetentë. Në mbledhjet e këshillit është dashur të merret vendim pse këta janë në dy mendime të ndryshme dhe cili mendim ka përparësi në këtë rast”, shprehet Kelmendi.

Në këtë konkurs ajo ishte vetme kandidate si doktor-shkence. Emri i saj ishte për dy javë në “Buletin” si e rekomanduar për këtë pozitë.

Për këtë fajëson dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, me të cilën ka kërkuar takim, por nuk ka marrë përgjigje.

“Unë lypi takim me dekanen, si kryetare e Këshillit që të më sqarojë se çfarë është duke ndodhur sepse ka shumë paqartësi në këtë rast. Nuk po mundem përmes asnjë rregulloreje të kuptoj se çfarë është duke ndodhur. Te mënyra e përzgjedhjes nuk e di pse ka shkuar kandidati tjetër… (10:21) Lypa takim me dekanen, nuk më ka kthyer përgjigje. Kam prit, i kam dhënë kohë tri ditë, nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kam angazhuar avokatin dhe iu kam drejtuar rektoratit për t’u informuar dhe të më sqarojnë se a është e vërtetë që emri im nuk është shkuar në rektorat. Kur shkoj aty marrë informacionin se emri im nuk ka shkuar prej Fakultetit të Mjekësisë, që ata janë dezinformuar, informatat nuk i kanë marrë të sakta prej Fakultetit të Mjekësisë”, deklaron ajo.

Në lidhje me këtë KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Jeta thotë se ka informuar Rektoratin për këtë parregullsi, dhe këta të fundit janë zotuar se do të diskutojnë në mbledhjen e senatit. Për këtë ka angazhuar edhe avokat, e ka nisur edhe proceset gjyqësore për të kërkuar të drejtën e saj.

“Është shumë zhgënjyese, por përderisa unë mendoj me qenë banor i Kosovës, është krenaria që i jep kuptim jetës. Dhe për hir të krenarisë, unë nuk mundem ta lë këtë punë të përfundojë në heshtje. Unë e kam obligim moral dhe profesional të kërkoj të drejtën time deri në fund”, përfundoi ajo.

33-vjeçarja rrëfen për KosovaPress se ka shumë artikuj të publikuar në revista shkencore, e libra të botuara që shërbejnë si literaturë për studentët e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Megjithatë këto nuk u morën parasysh në kohën kur ajo aplikoi për staf të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.