75 Mall Live Search
09:58 / E Shtunë, 16 Prill 2022 / MSH

U sulmuan në Veri, Policia e Kosovës jep detaje

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka njoftuar se sot rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike).

Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.

“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave” thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se nga ky rast nuk ka persona të lënduar as dëme materiale.

“Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë” thuhet tutje në komunikatë.