U tërhoq nga gara si kandidat për kryetar të Gjilanit, flet Lutfi Haziri

Kryesia e Degës së LDK-së në Gjilan unanimisht ka votuar Arbër Ismajlin si kandidat për kryetar të Komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryetari i kësaj dege, Lutfi Haziri.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka treguar arsyet pse vendosen qe Arbëri të jetë kandidat i LDK-së për të parin e Gjilanit.
“Pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjilan, kemi marrë vendimin që, z.Arbër Ismajli, të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka shkruar Haziri, raporton IndeksOnline.
Sipas tij, ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve, veçanërisht si nënkryetar i Komunës, por edhe si një aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada.
“Ai është pjesë e gjeneratës së dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjeneratë e artë e familjes sonë politike. E njoh Arbërin prej dekadash, është njeri i përgatitur, i qetë në vendimmarrje dhe i guximshëm në veprim. Është miku im dhe bashkëpunëtori i ditëve të mira e të rënda. Ka treguar se di të dëgjojë qytetarët dhe t’i shërbejë interesit publik me përulësi e profesionalizëm”, ka shkruar Haziri.
Tutje ai ka shtuar se nominimi i Arbërit është vendim i përbashkët i “imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin”.
“E uroj përzemërsisht Arbërin dhe i dëshiroj sukses në këtë rrugëtim. Gjilani ka nevojë për energjinë, përvojën dhe vizionin që ai e përfaqëson. Bashkë për Gjilanin!”, ka përfunduar Haziri. /IndeksOnline/