U tha se fillon në maj por s’u bë, Pal Lekaj tregon të rejat për autostradën Kijevë-Zahaq
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në prezantimin e Autostradës Kijevë-Zahaq të mbajtur në fund të muajit shkurt kishte thënë se brenda 60 ditëve do të fillojnë punimet në vazhdimin e autostradës Kijevë-Zahaq.

Por, saktësisht pesë muaj më vonë, asgjë nuk ka filluar në këtë projekt.
Indeksonline ka kontaktuar ministrin Lekaj për të mësuar të rejat rreth kësaj rruge të shumëpërfolur. Ministri ka thënë se në gusht pritet të bëhet tenderimi.
“Jemi në fund të procesit për përfundimin e planit për zhvendosje që është kërkuar nga BERZH. Tenderimi do të bëhet në muajin gusht, ndërsa kontrata pritet të nënshkruhet në shtator apo tetor, sipas procedurës së BERZH” ka thënë Lekaj për Indeksonline.
Ky projekt pritet të kushtojë 238 milionë euro, ndërsa kohëzgjatje e punimeve do të jetë 36 muaj./Indeksonline/