07:46 / E Premte, 01 Prill 2022 / OSH

U tha se u arratis, Policia e Shtetit e përgënjeshtron: Alqi Bllako është vetëdorëzuar

Policia e Përgjithshme e Shtetit ka bërë një sqarim në lidhje me lajmet që mbi arratisjen e ish-deputetit socialist, Alqi Bllako.

Në një njoftim për shtyp policia e shtetit ka përgënjeshtruar informacionet që donin Alqi Bllakon të arratisur.

Sipas policisë Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Bllako ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Gjykata e Posaçme Anti-korrupsion dha ditën e enjte masën arrest me burg për ish-deputetin Alqi Bllako, pas kërkesës së bërë nga SPAK, duke autorizuar policinë për të bërë prangosjen e tij. Vendimi u mor nga GJKKO në orën 16.30. Policia ka marrë vendimin e zbardhur dhe më pas është nisur ta zbatojë.

Por ditën e djeshme burime të Abc nga policia konfirmuan se Bllako nuk ishte gjetur në disa nga adresat e dhëna.

Ndërkohë Bllako nuk u paraqitur as në Kuvend personalisht për të dorëzuar mandatin. Paksa provokuese ishte edhe një story i mëvonshëm i avokatit të tij.

Ndërkohë sot Policia e Shtetit sqaroi se Bllako është vetëdorëzuar dhe se ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë.

Kujtojmë që ish-deputeti Alqi Bllako deklaroi para dorëzimit të mandatit se do të përballej me drejtësinë, por deri në orën e përgatitjes së këtij lajmi ai nuk është paraqitur as vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Njoftimi i policisë

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.