75 Mall Live Search
12:30 / E Premte, 13 Shtator 2019 / indeksADMonline

I vihet guri themeltar shkollës së re, në Lumëbardh të Deçanit

Ministri në dettyrë i Arsimit, i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, mori pjesë në ceremoninë e vënies së guri themeltar të shkollës fillore “Lan Selimi” në Lumëbardhë të kësaj komune.

Me këtë rast, Bytyqi u shpreh i kënaqur që gjendet në mesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve për të vënë gurthemelin për një objekt të ri shkollor, për të cilin uroi të gjithë banorët e kësaj ane.

Bytyçi theksoi faktin se ka pasur investime të mëdha në komunën e Deçanit, ndërsa përmendi kontributin e deçanasve në luftë, heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët, të cilët kanë bërë që sot të kemi mundësi ta gëzojmë lirinë dhe shtetin.

“Gradualisht, ne po e kompletojmë një infrastrukturë të mirë edhe në këtë fshat dhe jam i sigurtë se po krijohet një ambient me standarde të larta, që edukimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve të jetë i barabartë me të gjithë të tjerët kudo”, tha ministri në dyetyrë.

Bytyqi theksoi se krahas infrastrukturës, duhet ta ngrisim cilësinë në arsim dhe t’i përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen e vendit tonë dhe tha se këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, duke përfshirë edhe prindërit si një prej faktorëve më të rëndësishëm.