16:18 / E Martë, 24 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

U zyrtarizua pak ditë më parë në Gjeorgji, Elezi kthehet përsëri tek Shkëndija

Sulmuesi i talentuar 18-vjeçar, Dashmir Elezi u transferua pak ditë më parë te gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit.

Siç duket ky transferim nuk ka shkuar mirë, pasi që kuqezinjtë e Tetovës, kanë njoftuar se gjithçka rreth kësaj marrëveshje është anuluar tashmë.

Shkak për këtë  është bërë situata familjare e të riut të talentuar, i cili në muajt e fundit ka humbur gjyshin dhe babanë e tij. Për shkak të gjendjes emocionale, ka vendosur të rikthehet në Tetovë, ku Shkëndija i ka hapur menjëherë derën.

Edhe gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit kanë mirëkuptuar situatën dhe i kanë dhënë mundësi Elezit të rikthehet pranë familjes.

Komunikata e plotë nga ekipi i KF Shkëndija:

KF Shkëndija përmes kësaj komunikate i drejtohet opinionit për të sqaruar situatën e re të krijuar në lidhje me sulmuesin Dashmir Elezi. 

Edhe pse me kërkesë të vetë futbollistit dhe familjes së tij, KF Shkëndija vendosi të mos pengojë dëshirën dhe pretendimet e lojtarit për tu transferuar jashta vendit. Kësisoj u pranua oferta e Torpedo Kutaisit dhe Elezit i’u aprovua transferimi në Gjeorgji. 

Fatkeqësisht pas firmosjes dhe prezantimit me klubin e ri, duke ditur ndodhitë familjare të Dashmir Elezit (brenda një muaj humbi babain dhe gjyshin), 18-të vjeçari është gjetur në situatë të rënduar emocionale dhe ndërkohë nga Torpedo Kutaisi i është dhënë leje që të kthehet në Tetovë për të vendosur me qetësi për të ardhmen.

Vendimi i futbollistit dhe familjes është se duke ditur ndodhitë familjare në këtë moment, transferimi jashta vendit ishte hap i shpejtuar dhe se në këtë periudhë Dashmiri ka nevojë të qëndrojë pranë të afërmve të tij. 

KF Shkëndija sërish manifeston mirëkuptim dhe hap derën për Dashmir Elezin, i cili bashkohet me ekipin dhe do të jetë pjesë e jona edhe në periudhën që pason.