U16 e Kosovës shpallet kampion i grupit F në “Challenger”

Kombëtarja U16 e Kosovës në Basketboll është shpallur kampion i grupit F në divizionin C në FIBA European Challenger për U16 pasi mposhti Kombëtaren U16 të Luksemburgut në finalen e grupit me rezultat 86:43.
Kosova dominoi skuadrën mysafire në çdo çerek, ku më meritorët për fitoren e dardanëve ishin Rron Dahsyla me 30 pikë e 11 kërcime dhe 5 topa të vjedhur, Dren Kastrati me 15 pikë 10 kërcime dhe 9 topa të vjedhur, po ashtu lojtari i tretë me dyshifrorë të dyfishtë për Kosovën ishte edhe Eris Zeneli me 20 pikë e 10 kërcime.
Kosova në këtë ndeshje i kishte në dispozicion vetëm tetë lojtarë për shkak se disa prej lojtarëve kishin dal pozitiv me COVID-19, kurse Luksemburgu me 12.
Të dy kombëtaret kishin nga katër fitore para se të fillonte finalja.
Kosova ishte në grup me Gjibraltarin, Maltën, Moldavinë, Luksemburgun dhe Shqipërinë. Kosova kaloi këtë grup pas as edhe një humbje.
Të gjitha ndeshjet e grupit F u zhvilluan në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.